Gjergj Vyshka 07.02.2015 11:40
“Nuk do të ketë udhëtim falas drejt Lushnjës”. Ky ka qenë postimi i fundit i ultrasve të Dinamos. Blue Boys, të cilët e kanë ndjerë veten të tradhtuar nga administratori i bluve, Ismet Saliaj.
Pa thënë të prerë në besë. “Me një ton aspak miqësor na lajmëroi se nuk do të ketë autobusë për në Lushnjë dhe kjo ndryshe nga çfarë kishte thënë një ditë më parë”, – thonë ultrasit.
Ata bëjnë të ditur se vetë administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, kishte kërkuar mbështetjen e tifozëve në këtë ndeshje të vështirë jashtë fushe për skuadrën e trajnerit Dritan Mehmeti.
“Por ama nuk na ndihmon në një kohë që jo të gjithë kanë mundësi të vijnë me paratë e tyre drejt Lushnjë”, – kanë thënë tifozët. Megjithatë “Blue Boys” edhe për të mos e lënë skuadrën vetëm kanë premtuar se do të udhëtojnë me shpenzimet e tyre, edhe pse është një çmim prej 600 lekësh të rinj vajtje-ardhje, ndërsa kanë bërë përgatitjet e tyre për të mbështetur Dinamon.