AlbanianSport.com 29.10.2016 16:10
ASNN – Dinamo dhe Apolonia janë ndarë në barazim pa gola në ndeshjen e vlefshme për javën e 6-të të Kategorisë së Parë. Nga një pikë për të dyja skuadrat që nuk iu përshtatet synimeve të drejtuesve të ekipeve përkatëse. Kjo sfidë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar. Kështu, ndeshja e javës së 6-të të Kategorisë së Parë, ajo midis Dinamos dhe Apolonisë është mbyllur me rezultatin 0-0.
Ky takim ka nisur me 12 minuta vonesë pasi forcat e rendit nuk ka qenë të pranishme në stadium. Të parët që rrezikojnë janë futbollistët e Apolonisë, me anë të Uzunit, në minutën e 23-të. 10 minuta më pas kundërpërgjigjet Dinamo me anë të Cacës, i cili brenda zonës godet shumë keq me të djathtën. Në të 36-ën, është sërish Dinamo që rrezikon kur gjuajtja e Ejoh devijohet në goditje këndi.
Me rezultatin 0-0 mbyllen 45 minutat e para. Në pjesën e dytë Dinamo humbet një rast të bukur për të shënuar me anë të Gërxhos. Futbollisti dinamovit ekzekuton bukur një goditje dënimi nga jashtë zone në minutën e 63-të, por topi godet shtyllën. Në të 81-ën, kapiteni i Dinamos, Erald Turdiu shpërdoron një tjetër rast të pastër për shënim kur godet me kokë brenda zonës, por jashtë.
Minuta e 93-të dhe pranë golit Dinamo teksa Gërxho godet shtyllën. Kryeqytetasit më kërkues në fund të takimit, por nuk ka më kohë dhe gjyqtari i takimit Orlando Kuka, i cili demonstroi një nivel të shkëlqyer profesional, si në rastin e mosnisjes së ndeshjes për shkak të mospranisë të së forcave të rendit në stadium, ashtu edhe gjatë gjithë lojës, fishkëllen për përfundimin e ndeshjes.
Mbyllet 0-0 midis Dinamos dhe Apolonisë, sfidë kjo që u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar. Por transmetimet e drejtpërdrejta në Radio-Televizionin shqiptar do të vazhdojnë të dielën me garën e Botërorit të Motorëve në Malajzi, në orën 14:00 vjen një tjetër takim i vlefshëm për grupin A të Kategorisë së Parë, midis Kamzës dhe Kastriotit.
Ndërsa në orën 17:00 do të transmetohet sfida Partizani-Skënderbeu, dy rivalët për kreun e kategorisë superiore. Për të vijuar të hënën pasdreke, kur do të vijë për sportdashësit një tjetër duel i vlefshëm për grupin B të nivelit të Kategorisë së Parë, ai midis Lushnjës dhe Bylisit, ndërsa të mërkurën do të transmetohet edhe një tjetër përballje interesante, e vlefshme po për grupin A të Kategorisë së Parë, derbi midis Elbasanit dhe Sopotit.