Gjergj Vyshka 09.02.2015 08:40
Dinamovitët përgatiten të bëjnë analizën e asaj çfarë kanë prodhuar në “Roza Haxhiu”. Administratori Saliaj: “Mendoj se ka dhe mbetje hatri mes lojtarëve për mos aktivizimin”. Por çfarë ka ndodhur realisht me Dinamon në ndeshjen me Lushnjën? Administratori Ismet Saliaj jo vetëm pas ndeshjes, por dhe një ditë më pas ka pranuar që skuadra ka qenë hije e vetvetes, për më tepër ato që kanë ardhur nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër.
“Së pari më duhet të sqaroj se kemi bërë pagesat dhe skuadrës i është bërë e qartë se nëse do të ketë rezultatet atëherë dhe ne do të jemi të rregullt në ato që do të japim, – ka thënë ai. – Së dyti, në përgjithësi kemi qenë një skuadër anemike. Jo se Lushnja ka qenë më mirë se sa ne, por me entuziazmin e tifozëve, me të qenit pritëse në fushën e saj ka goditur atëherë kur i duhej. Së treti, qoftë Turtulli, qoftë Shazivari, qoftë Allmuça, janë 3 lojtarë që janë zëvendësuar, nuk kanë marrë asgjë përsipër për ta çuar përpara skuadrën.”
“Dhe Xhafaj që ishte në sulm nuk solli asnjë rrezikshmëri për mbrojtjen kundërshtare, – ka vijuar administratori ballshiot i bluve kryeqytetas. – I vetmi që ishte në ditën e tij më të mirë ishte portieri Kotorri, të cilit nuk mund t’i vihet faj në pësimin e golit. Besoj dhe mendoj se ka dhe hatër mbetje mes lojtarëve për shkak të mos aktivizimit si titullar. Dhe për rrjedhojë ne nuk kemi gjuajtur asnjëherë në portën kundërshtare. Dhe e gjithë kjo situatë, kuptohet për të kërkuar një reagim ndryshe të skuadrës, do të jetë dhe tema e një analize të ekipit. Mendoj se kemi fuqi për të reaguar që nga ndeshja me Tomorin.”