Nga Gjergj Vyshka 20.01.2014 16:55
Dilema e administratorit të bluve, Ismet Saliaj, në këto momente është a duhet ta marrin Kotorrin në mbrojtje të portës blu, apo jo. Sepse edhe ai e di, por dhe të tjerë brenda kampit blu, që Dinamo në këto momente as nuk ka vuajtur dhe as nuk ka pasur nevojë për të marrë portier.
Ajo që në fakt i çalon ende Dinamos është mungesa e një fantazisti, ndërsa duke filluar që nga përpara e mbrojtjes e më pas me dy mesfushorët e qendrës, Dinamo luan me tre mesfushor-shkatërrues. Atje ku të gjithë e kanë të vështirë për të ndërtuar ofensivën e bluve.
Jo vetëm kaq, por edhe krahët duket sikur janë jashtë funksionit. Ndoshta në të majtë me Imamin, Ferrajn dhe Shazivarin gjërat janë më të zgjidhura se sa në të djathtë, ndërsa parë dhe miqësoren me Tiranën, as Rexhepi e as Tafaj ende nuk janë në gjendje t’i japin drejtim sulmit me shpërthimet e tyre.
Sigurisht që Dinamo ka bërë përforcime. Mirëpo kur paska kaq “shumë gropa” për të mbyllur, pavarësisht fryerjes pa fund të organikës, atëherë porta ishte pika më e fundit që Dinamo do të mund të kërkonte të zgjidhte. Respekti për Kotorrin, sikurse dhe për Allmuçën e Xhafajt nuk i mungon askujt në kampin blu, aq më tepër tifozëve.
Tre ish-kampionë që duhet të jenë të tillë në fushë dhe do të mbeten edhe më pas në historikun e skuadrës blu nëse realizohet misioni final, Dinamo në Kategorinë Superiore. Saliaj është në dilemë për Kotorrin, i cili dje nuk ka dalë në stërvitje me blutë, kurse Lamellari tashmë e ka hedhur dorashkën e tij: Jam në kulmin tim dhe nuk kam frikë nga konkurrenca…