AlbanianSport.com 22/11/2018 14:05
ASNN – Didië Drogba është tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur. Lajmin e ka dhënë vetë me një postim në rrjetin social “Instagram”, duke shkruar se ndihej krenar për karrierën e tij të suksesshme 20-vjecare. Ai ka falënderuar admiruesit, klubet ku ka luajtur dhe familjen e tij, ndërsa uron që Zoti ta bekojë edhe më tej sikurse ka bërë deri tani.
“Kur mendoj për 20 vitet e fundit të karrierës sime profesionale, duke parë këtë fotografi, – shkruan Drogba, – ndihem më shumë krenar se kurrë për ato që kam arritur si futbollist, por mbi të gjitha si më ka formuar si njeri kjo aventurë. Nëse dikush thotë se ëndrrat e tua janë tepër të mëdha, thjesht falënderoje dhe puno edhe më shumë, duke u treguar i zgjuar, për t’i kthyer ato në realitet.”
Më pas vjen radha e falënderimeve, që për Drogba janë të shumta. “Falënderoj lojtarët, trajnerët, klubet dhe tifozët që ma kanë bërë këtë udhëtim kaq të këndshëm, – thekson ai. – Një falënderim shumë të madh dhe shumë dashuri për familjen, skuadrën time personale që më ka mbështetur pa kushte gjatë gjithë karrierës. Uroj që Zoti të më bekojë po aq shumë për të ardhmen, sa ka bërë për karrierën time futbollistike.”