AlbanianSport.com 13/04/2019 21:10
ASNN – Dhuna “sindromë” e pashmangshme në futbollin shqiptar, ndërpritet ndeshja në Kavajë. Ishte minuta e 80-të e takimit Besa-Bylis, në Kavajë, në kuadër të grupit B të Kategorisë së Parë, kur kërciti tulla në shpatullën e kryesorit, një veprim që solli ndërprerjen e ndeshjes dhe më pas edhe tërheqjen e trupës së gjyqtarëve, që u shoqërua me një breshëri gurësh, shishesh dhe objektesh të tjera, si të ishte një skenë lufte e jo e një ndeshje futbolli.
Natyrisht, më shumë se loja, rezultati, deklaratat e trajnerëve, qëndrimi i gjyqtarëve dhe më vonë i komisioneve disiplinore të federatës, dhuna po ruan “ritmin” e saj asfiksues për futbollin shqiptar. Në ndeshjen e sotme në Kavajë, një duel mjaft i rëndësishëm për fatet e kryesuesit në grupin e Jugut, Besa po humbiste ndeshjen 1-0 që në pjesën e parë, e si të mos mjaftonte ky rezultat, një lojtar i Besës del me karton të kuq në minutat e fundit, duke e bërë të pamundur fitoren e kavajasve.
Ka qenë pikërisht kjo situatë që solli acarimin e tifozerisë vendase që nisi të hedhë gurë e shishe në drejtim të gjyqtarëve dhe më pas vendimin e gjyqtarit, për të ndërprerë ndeshjen, e cila nuk nisi më. Pas këtij momenti do të vijnë vendimet disiplinore në dëm të klubit kavajas dhe duke marrë parasysh precedentin e Kamzës, e cila u përjashtua nga gara dhe u hodh një kategori më poshtë, nuk përjashtohet mundësia që të penalizohet keqas edhe Besa.
Paçka se, në Kavajë, drejtuesit dhe lojtarët i mbrojtën gjyqtarët nga goditjet e objekteve që hidheshin nga tribuna e tifozëve. Pas kësaj ngjarjeje, me siguri që Bylisi do të fitojë pikët në tavolinë dhe merr vrull për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, kurse në Grupin e Veriut, rikthimi i Vllaznisë në elitë as nuk mund të vihet në diskutim.