AlbanianSport.com 30.07.2015 21:35
ASNN – Ndeshja mes Kukësit dhe Legias së Varshavës u pezullua. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Evropës dhe po zhvillohej në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Ajo është ndërprerë vetëm pak minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë e saj, në kohën kur rezultati i takimit ishte 1-2 për polakët, për shkak se disa tifozë të ekipit verilindor kanë goditur me sende të forta një lojtar të ekipit kundërshtar.
Incidenti ka ndodhur pas shënimit të golit të rikthimit në epërsi për Legian, e cila kishte shënuar gjatë pjesës së parë golin e parë të ndeshjes, por me të nisur e dyta Kukësi kishte barazuar shifrat, por jo për shumë kohë. Dy minuta më pas, Rzheznjiçak kaloi sërish në epërsi polakët, ndërkohë që Felipe Moreira Santos kishte barazuar golin e shënuar nga hungarezi Nikoliç në 45 minutat e para, duke goditur saktësisht me kokë brenda zonës dhe duke përshëndetur rrjetën.
Ndeshja është e ndërprerë prej disa minutash dhe pas disa minutash hezitimi, gjyqtari zviceran i takimit, pasi i drejtoi të dyja ekipet për në dhomat e zhveshjes, diskutoi në lidhje me kushtet e sigurisë për vijimin e mundshëm, e më pas ka marrë vendimin për ta ndërprerë përfundimisht. Megjithëse kompania e sigurisë dhe zyrtarët e Kukësit kanë ofruar masa më të forta të sigurisë trajneri nuk ka pranuar që loja të rifillojë.
Me shumë gjasa, Kukësi do ta humbë ndeshjen 0-3 në tavolinë dhe rrezikon një gjobë të rëndë nga UEFA, si dhe masa të tjera administrative.
Foto: Armando Babani / EPA