AlbanianSport.com 10.05.2016 18:05
ASNN – Për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit sportiv Eduart Ilnica kanë reaguar një numër i madh njerëzish nga fusha të ndryshme të jetës. Kështu, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, i cili mbulon Qarkun e Sportit, është shprehur se: “Plagët e marra në trupin e Ilnicës janë plagë të marra në trupin e sportit dhe gazetarisë sportive”.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka deklaruar: “Edhe një gazetar tjetër i dhunuar pasi bëri detyrën duke raportuar për dhunën në stadium. Si edhe më parë, liria e shtypit poshtë.”
Ndërkohë, edhe përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, dënoi sulmin ndaj gazetarit Eduard Ilnica të hënën mbrëma në Tiranë, si edhe iu bëri thirrje autoriteteve shqiptare të realizojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit.
“E dënoj këtë sulm; dhuna ndaj gazetarëve nuk duhet të tolerohet, – u shpreh Mijatoviçi. – E përshëndes reagimin e shpejtë të policisë dhe shpresoj që hetimi të japë rezultate dhe të çojë të gjithë fajtorët para drejtësisë.”
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet e medias në të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo jep paralajmërime për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, si edhe nxit respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias.
Presidenti i klubit krutan, Alban Vogli është arrestuar dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. Vogli akuzohet për veprat penale: Plagosje e rëndë me dashje, heqja e paligjshme e lirisë dhe goditje për shkak të detyrës.