AlbanianSport.com 29.11.2014 21:25
ASNN – Dhuna vazhdon të mbetet gangrena e futbollit shqiptar, e sidomos kur ajo ndodh midis aktorëve kryesorë të lojës, futbollistëve, ajo merr ngjyrime edhe më të shëmtuara.
Kështu ka ndodhur fatkeqësisht sot edhe në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 8-të të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që padyshim ka qenë ajo e luajtur mes Mamurrasit dhe Tërbunit, që u fitua nga pukjanët me rezultatin 1-0.
Të dyja tifozëritë kanë qenë të shumta në numër, mirëpo në fund të lojës nuk ka munguar dhuna, ndonëse protagonistë kanë qenë vetëm lojtarët.
Kështu, duke hyrë në dhomat e zhveshjeve, është goditur futbollisti i Tërbunit, Senad Lekaj. Policia e Lezhës ka bërë me dije se Lekaj është goditur nga kolegu i tij mamurrzak, Endri Lala.
Ky i fundit është shoqëruar në komisariat nga uniformat blu. Ndërkohë, pukjanët kanë shfaqur rezerva të mëdha për mënyrën organizative, pasi, sipas tyre, sende të forta janë hedhur në fushë.
Mbetet për t’u parë se si janë faktet dhe rrethanat e ngjarjes, pasi, përtej këtij episodi, në një postim të tyren në rrjetin social “Facebook”, tifozët pukjanë kanë deklaruar mirënjohjen e tyre për presidentin e Mamurrasit, Dedë Ndreca, për rolin e tij në zgjidhjen e situatës në fjalë.