AlbanianSport.com 15.02.2015 18:55
ASNN – Pas ndeshjes së fituar me rezultatin 2-1 në shtëpi ndaj Pogradecit, trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, vlerësoi përkushtimin e skuadrës së tij. “Jam i kënaqur nga të gjithë futbollistët që u aktivizuan në këtë ndeshje, – ka dekaruar ai. – Loja, sidomos në pjesën e parë, ishte ajo që unë prisja dhe lojtarët treguan karakter. Veç golit, patëm raste të tjera çka tregon se ishim superior në lojë.
“Menaxhuam si duhet pjesën e dytë, por goli i pësuar në fundin e lojës më mërziti sepse nuk është hera e parë që pësojmë gola në mbarim të lojës. Kam bindjen se në takime e ardhshme do të paraqitemi edhe më mirë”, – ka përfunduar trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj, ia ka mveshur humbjen gabimeve dhe pësimit të dy golave brenda 10 minutave të para.
“Kishim ardhur për rezultat pozitiv në këtë ndeshje, qoftë edhe për një pikë, – ka deklaruar ai. – Por gabuam në fillimin e saj dhe pësuam dy gola të shpejtë. Dhe ndodhi kështu pasi nuk u vendosëm mirë në mbrojtje. Përmirësuam shumë në pjesën e dytë dhe duhej të kishim shënuar më shpejtë çka mund të ndryshonte rrjedhën e lojës. Nga mënyra si u zhvillua loja dhe rastet e krijuara, rezultati më i drejtë do të ishte barazimi.”