AlbanianSport.com 16/10/2018 11:35
ASNN – “Tierri Honri ka gjithçka të nevojshme për t’u bërë një trajner i mirë!”. Kështu është shprehur trajneri i Francës dhe ish-shokut i tij në përfaqësuesen e Francës, Didier Deshomp, duke folur për emërimin e Honrisë në detyrën e tij si trajneri i Monakos.
“Ai është duke u përfshirë në një projekt emocionues, ku ai do të jetë përgjegjësi kryesor dhe unë I uroj shumë suksese”, – shtoi trajneri aktual i Francës, tanimë kampione në fuqi e botës.
Ish-ylli i Arsenalit, Honri u emërua trajner i Monakos të shtunën, në atë që është detyra e tij e parë në drejtimin e klubit pasi u largua nga posti me ekipin përfaqësues të Belgjikës.
41-vjeçari, fitues i Botërorit të para 20 viteve në Francë, i cili ka punuar si ndihmës i trajnerit të Belgjikës, Roberto Martinez që nga viti 2016, kthehet kështu në klubin ku filloi karrierën e tij profesionale.
Honri zëvendëson Leonardo Zhardimin, i cili në 2017 e udhëhoqi Monakon drejt titullit të parë të kampiones së Ligës 1, që nga viti 2000. Ai u shkarkua të enjten pas një varg rezultatesh të dobëta.