AlbanianSport.com 12.05.2015 21:30
ASNN – “Loro Boriçi” do të jetë gati për ndeshjen me Serbinë dhe, menjëherë pas tij, radhën e ka Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Kështu ka deklaruar duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, i cili është edhe përgjegjës për infrastrukturën sportive. Sipas Dervishit, pushteti lokal duhet të bëjë më tepër përsa i përket infrastrukturës sportive.
Përtej mungesës së kohës, Stadiumi “Loro Boriçi” do të jetë gati për ndeshjen me Serbinë. Kjo është garancia që jep anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Dervishaj, i cili është edhe përgjegjës për infrastrukturën sportive. Duke folur për AlbanianSport.com, Dervishaj ka sqaruar se synimi i radhës në këtë drejtim mbetet Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Rindërtimi i Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës pritet të kushtojë rreth 12 milionë euro.
– Kanë nisur punimet për rindërtimin e Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës. Tani që flasim, duke bërë një rivlerësim të gjendjes, sa real është synimi për ta pritur Serbinë në Shkodër?
– Që të jem korrekt me atë që kam thënë në intervistat e mëparshme, punimet në Shkodër duhet të kishin nisur më përpara. Duhet të kishin nisur në muajin shkurt, por duhet të keni parasysh se po bëhet fjalë për një projekt që po shndërron krejtësisht Stadiumin “Loro Boriçi” dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos bëjmë gabime që nesër do të na kushtonin dhe ai stadium të mos merrte licencën e duhur nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Në këtë moment që flasim, të paktën edhe me bisedat që janë bërë me firmën ndërtuese, por edhe me planin organizativ, ne besojmë që ekziston mundësia që ne ta kapim afatin e vënë. Mund të mbeten vetëm disa punime që nuk prishin problematikën e ndeshjes, por unë besoj që do ta kapim, edhe për arsye se firma që e ka marrë përsipër ka premtuar futjen në punë njëkohësisht të 300 punonjësve në stadium. Problematika atje ekziston, por është më tepër problematika e shpronësimeve, por që është një aspekt që i përket qeverisë dhe jo Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne synojmë që ta shfrytëzojmë në maksimum kohën që kemi në dispozicion, në mënyrë që ndeshja e parë që do të luhet atje do të jetë ajo me Serbinë.
– Duket sikur tashmë keni gjetur edhe gjuhën e përbashkët me Qeverinë, pasi është rindërtuar Stadiumi “Elbasan Arena”, por rindërtohet “Loro Boriçi” dhe natyrisht sytë e të gjithëve janë te Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”… A ka në momentet që flasim, hapa konkretë përsa i përket rindërtimit të “Qemal Stafës, edhe në partneritet me qeverinë?
– Në këto dy vitet e fundit, ne kemi gjetur akordin me qeverinë përsa i përket rritjes së kontributit të saj në infrastrukturën e stadiumeve, kjo edhe për arsye se Shqipëria u ndodh përballë faktit që të mos kishte mundësi të luante në shtëpi, pra që Kombëtarja jonë të luante jashtë Shqipërie dhe kjo do të ishte e papranueshme. Qeveria kërkoi të rindërtohej “Elbasan Arena” dhe ne menjëherë iu përgjigjëm, ndërsa më pas Kryeministri vendosi për “Loro Boriçin”, por, në qoftë se do të jemi të kujdesshëm dhe do të kujtojmë fjalët që ai tha në Shkodër, aty ai theksoi se “nuk do ta lëmë Stadiumin Kombëtar pas dore”. Ne po vazhdojmë përpjekjet tona në këtë drejtim, por, siç e ka theksuar edhe vetëm presidenti i Federatës, Armando Duka, problemi kryesor është problemi financiar. Si rezultat i krizës globale, është e vështirë të gjesh financues dhe prandaj ne jemi në bisedime me disa kompani ndërkombëtare, pasi Stadiumi i ri Kombëtar kap shifrën e rreth 50 milionë eurove. Buxheti ynë financiar është i vogël në këtë kontekst, ashtu sikundër edhe buxheti i shtetit nuk ka hapësirë për të tilla investime, prandaj po kërkojmë të ndërthurim financimin e Federatës, me atë të Qeverisë dhe të një investitori të huaj, i cili do ta marrë përsipër këtë stadium me koncesion. Bisedimet vazhdojnë dhe ne shpresojmë që me përfundimin e Stadiumit të Shkodrës, atëherë vëmendja do të përqendrohet tek Stadiumi Kombëtar. Por duhet të theksoj këtu që nuk është problemi vetëm tek “Qemal Stafa”, por ju e keni parë që rikonstruksionit po i nënshtrohet edhe Stadiumi “Selman Stërmasi” i kryeqyteti, ku klubi i Tiranës, ka marrë përsipër, me ato mundësi që ka, të rregullojë tribunat, shkallët, mjediset e brendshme dhe ka mundësi që ne si Federatë, ta ndihmojmë me vendosjen e sistemit të ndriçimit. Pra, gradualisht po ringrihet infrastruktura e stadiumeve në kryeqytet, sepse Stadiumi i ri Kombëtar do të ngrihet, Vlora ka kërkuar ndihmë për rindërtimin e stadiumit “Flamurtari” apo ndërtimin e një stadiumi të ri dhe, ne si Federatë, por edhe në bashkëpunim me qeverinë, kemi si synim që, brenda një periudhe kohore prej, le të themi, 10 vjetësh, të kemi përfunduar rindërtimin apo pajisjen e qendrave kryesore futbollistike me stadiume të rinj, nëse do të kemi mundësi, prandaj do t’i kërkojmë qeverisë të rrisë kontributin e saj. Kuptohet që, me përfundimin e zgjedhjeve të pushtetit vendor në qershor, duke qenë se njësitë administrative që do të dalin prej tyre nuk do të jenë më të vogla, por mjaft më të mëdha, edhe buxhetet e tyre do të jenë më të mëdhenj dhe ndoshta do të krijohet edhe mundësia që një pjesë e buxheteve të këtyre njësive të kanalizohet për ngritjen e infrastrukturës sportive. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ngritje stadiumesh, pasi shteti duhet t’i hedhë sytë edhe tek fëmijët dhe të rinjtë, që të ndërtojë sa më tepër fusha futbolli dhe mjedise sportive për ta, në mënyrë që këto grupmosha t’i largohen rrugës dhe veseve të këqija, dhe të kultivojnë një jetesë të shëndetshme. Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të këtyre nismave. Ju jeni dëshmitarë të investimeve që FSHF-ja ka bërë në infrastrukturën sportive, me stadiume të reja, fusha të reja të stadiumeve, fusha stërvitore, që po shfrytëzohen në fakt nga ekipet e moshave praktikisht përgjatë 24 orëve të ditës. Kjo tregon se rinia ka etje për sport dhe ne, ose më saktë, shteti, është pak borxhli në këtë drejtim. Përveç kësaj, ne shpresojmë që së shpejti të miratohet ligji që një përqindje e të ardhurave nga taksat e kompanive të basteve t’i kalojnë sportit… Të shpresojmë… Është në fakt një e drejtë e sportit, nuk po kërkojmë asgjë që nuk na takon, thjesht atë 5 % që zbatohet në të gjithë botën, që do të përdoret për mbështetjen e sportit.
– Së fundi, kemi një Kampionat Kombëtar me të paktën 3 Kategori serioze, ku militojnë 55 ekipe futbolli. A janë të gjitha këto skuadra me impiante sportive të përshtatshme dhe të pranueshme, sepse kemi parë shpesh skuadra edhe të nivelit të dytë të këtij kampionati, që shtegtojnë nëpër fusha të ndryshme, larg asaj të tyre, apo dhe skuadra që po ngjisin shkallët e kategorive… pra a do të kemi sjelljen e kësaj infrastrukture sportive në një nivel të pranueshëm dhe funksional?
– Është e vërtetë që janë shumë skuadra, por, përpara çdo sezoni, këto klube duhet të licencohen. Prej vitesh tashmë, Federata Shqiptare e Futbollit e ka vënë në zbatimin licencimin, që përmban në vetvete 3 kritere kryesore, atë sportiv, atë financiar dhe atë të infrastrukturës sportive. Këto janë të shkruara në manualin e licencimeve që u jepet çdo sezon klubeve, natyrisht me kërkesa në përputhje me nivelin e kategorisë përkatëse të garave dhe FSHF-ja ka qenë ekzigjente në respektimin e këtyre kërkesave. Mundet të ketë patur ndonjë tolerancë, pasi nga ana e Komunës apo Bashkisë përkatëse është premtuar përmirësimi i kushteve të fushës apo stadiumit dhe Federata ka treguar mirëkuptim, por kjo ka ndodhur në pak raste. Në përgjithësi, kushtet janë plotësuar nga ana e klubeve, natyrisht në përputhje me nivelin përkatës, pasi stadiumit apo fushës së një skuadre të Kategorisë së Dytë nuk mund t’i kërkojmë kushtet që ofron, për shembull, “Elbasan Arena”. Të jemi realistë, jemi në Shqipëri. Por ajo që ne na habit më shumë është se të gjitha këto ia kërkojnë Federatës sonë të futbollit. Kjo është problematika më e madhe. Klubet dhe organet e pushtetit vendor janë ato që duhet t’i krijojnë kushtet e infrastrukturës sportive. Federata është aty për t’i kontrolluar dhe certifikuar këto mjedise sportive. Në qoftë se Federata do të merrej me të gjithë infrastrukturën, nuk do t’i mjaftonte kurrë buxheti. E them këtë sepse, duke përjashtuar dy stadiumet, “Elbasan Arenën” dhe “Loro Boriçin”, Federata merr nga shteti “0” lekë. Federata të ardhurat e veta i shpenzon kryesisht për aspektin sportiv, por të mos harrojmë këtu që FSHF-ja të gjitha projektet që ka marrë përsipër, i ka realizuar me fondet e veta. Prandaj lipset që vetë klubet dhe organet e pushtetit vendor të ndërgjegjësohen se janë ata përgjegjës për nivelin dhe cilësinë e infrastrukturës së tyre sportive. Federata do të vazhdojnë të jetë ekzigjente në kërkesat e saj dhe për licencim duhen plotësuar të 3 kushtet dhe jo vetëm një apo dy.