AlbanianSport.com 29.01.2016 07:55
ASNN – Taulant Xhaka: “E vështirë që luaj kundër vëllait, por e rëndësishme është të fitojë Shqipëria.” Që nga dita kur shorti i vendosi në të njëtin grup të finalet e Euro 2016, sfida Shqipëri-Zvicër ka marrë vëmendjen më të madhe. Jo vetëm se shumë futbollistë me origjinë shqiptare luajnë për përfaqësuesen zviceriane, por për faktin se përballë në fushën e lojës si kundërshtarë do të jenë dy vëllezër, Granit dhe Taulant Xhaka.
Dy lojtarët bënë zgjedhje të ndryshme në karrierë, ndërsa fati vendosi që ata të luajnë kundër njëri-tjetrit në një skenë të madhe të futbollit siç është Kampionati Evropian. Duke folur për të përditëshmen zviceriane “Blick”, mesfushori i kombëtares shqiptare Taulant Xhaka, ka pohuar: “Sigurisht që do të jetë e vështirë të kem vëllain si kundërshtar. Jo vetëm për mua, por për të gjithë familjen time.”
“Megjithatë, kjo është një ndeshje futbolli dhe unë nuk do ndryshoj stilin e lojës, – ka vijuar ai. – Në fund të fundit dua që të fitojë Shqipëria. Nuk ka rëndësi nëse luaj kundër vëllait tim. Por, natyrisht, nuk dua ta lëndoj as atë dhe askënd tjetër.” Xhaka nuk ka ndërmend të dorëzohet as në objektivin e skuadrës shqiptare për të bërë një tjetër suprizë në “Euro 2016”, duke kaluar grupin.
“Mendoj se mund të bëjmë shumë gjëra, – ka theksuar futbollisti për median helvete në fjalë. – Ne mund të mposhtim çdo kundërshtar, kemi fituar në Eliminatore mes të tjerash edhe kundër Portugalisë. Sigurisht Zvicra e Franca janë favoritët në grup. Të dy ekipet kanë ndoshta individë më të mirë se ne në grup, por edhe ne kemi forcën tonë që jemi të bashkuar.” Taulant Xhaka po kalon një formë të shkëlqyer edhe te Bazeli. Por ndryshe nga ai, momenti është shumë i keq për sulmuesin e kombëtares Shkëlzen Gashi. I pyetur në lidhje këtë çështje, Xhaka ka bërë të ditur se nuk është në dijeni mbi të ardhmen e tij.