AlbanianSport.com 04.05.2015 09:40
ASNN – Policia e Tiranës ka marrë masa për bllokimin e disa rrugëve për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të derbit Partizani-Tirana, që nis në ora 20:45. Sipas policisë, sot, duke nisur që nga ora 17:30, do të bllokohet qarkullimi në të gjitha segmentet që kufizohen me stadiumin.
Ndërkohë, më herët policia ka zhvendosur edhe mjetet e parkuara në sheshin “Italia” dhe përreth stadiumit. Bllokim të kalimit të mjeteve do të ketë edhe në hyrje të Hotel “Sheraton’’, në sheshin “Italia”, ku nuk do të lejohen parkimet. Bllokimi do të vazhdojë në të gjithë segmentet që lidhen me stadiumin “Qemal Stafa’’.
Më konkretisht, bëhet fjalë për Rrugën “Lekë Dukagjini”, Rrugën “Themistokli Gërmenji’; Rrugën “Skerdilajd Llagami”, “Faik Konica”, “Dervish Hima” dhe “Papa Gjon Pali II”. Nga ora 15:30, deri në përfundim të ndeshjes Partizani-Tirana ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këto segmente.