AlbanianSport.com 22.01.2017 07:00
ASNN – Kampionati Kombëtar i Futbollit, për shkak të motit, është shtyrë edhe për një javë dhe një pjesë e mirë e skuadrave, tashmë të rikthyera edhe nga faza stërvitore në Antalja të Turqisë, kërkojnë të mbajnë ritmin dhe të ruajnë formën fizike, duke provuar forcat në miqësore.
Në këtë mes nuk ka patur dallim mes skuadrave të Kategorisë Superiore apo kategorive inferiore dhe nisur nga kjo derbi i kryeqytetit, Dinamo-Partizani, por të kuqtë në versionin B, ishte një ndër ato ndeshje që mjafton emri i skuadrave dhe fanellat, për të ndezur të paktën nostalgjinë dhe të kujtuar zbehjen e një skuadre historike.
Partizani B është një skuadër e Kategorisë së Dytë mes pretendentëve për t’u ngjitur në të Parën, aty ku ndodhen blutë kryeqytetas. Dinamo edhe pse një emër i madh i historisë së futbollit tonë ndodhet shumë larg historisë, e mbytur në probleme financiare e burokratike.
“Për t’u rikthyer Dinamo e dikurshme duhet shumë gjëra, – ka deklaruar trajneri i Dinamos, Igli Allmuça. – Ne kemi probleme me mjediset e stërvitjes dhe shumë gjëra të tjera. Objektivat tonë janë modest, për të qenë në kushte komode në renditje dhe këtë besoj se do ta realizojmë me sukses.”
Sa i përket rezultatit këtë ndeshje e fitoi Partizani B me shifrat 2-0.