AlbanianSport.com 06/10/2018 15:55
ASNN – Është luajtur të shtunën në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit takimi më i spikatur i javës së 5-të të grupit B të Kategorisë së parë, midis Apolonisë dhe Lushnjës. Takimi që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është mbyllur në barazim 1-1.
Sfida më e spikatur e javës së 5-të të grupit B të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të futbollit ka qenë ajo që është luajtur të shtunën në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit dhe që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, midis Apolonisë dhe Lushnjës.
Në fakt, ky derbi i Myzeqesë ka folur tërësisht për fierakët në pjesën e parë, pasi që në minutën e dytë, rrezikon Apolonia, ndërsa në të 10-tën, vjen një goditje nga larg, pa problem për portierin mike, Bejte. Në minutën e 13-të, Prifti godet nga larg, duke e vënë në vështirësi portierin e Lushnjës, që sidoqoftë e largon topin jashtë.
Meto është një rrezik i vazhdueshëm në krahun e djathtë të mesfushës dhe sulmit vendas dhe një harkim i tij goditet nga Gjata në minutën e 20-të, por topi has në shtyllën horizontale të portës së Bejtes, ndërsa 7 minuta më pas, i njëjti lojtar godet, por mbi kuadrat.
Apolonia dominon dhe godet më tepër dhe, në minutën e 35-të, një aksion i nisur nga Griseld Prifti do të finalizohet me sukses nga vetë ai, pas një ndërthurjeje mjaft të mirë me Meton. Me një rast të Hysenshahajt, të cilit Bejte i thotë “jo” me një reagimi instinktive, do të mbyllet pjesa e parë.
Ndërsa e dyta do ta shohë Lushnjën të futet ndryshe në fushë dhe, pas vetëm 4 minutash lojë, skuadra mike ka rikthyer barazinë në shifrat, pasi Gjyla tregohet i saktë nga një goditje e lirë.
Apolonia do të reagojë dhe 40 minutat e mbetura si dhe ato shtesë do të karakterizohen nga raste të njëpasnjëshme për shënim të vendasve, por ca për paqartësi në finalizim të tyre, ca për meritë të mbrojtjes dhe portierit mik dhe ca për çështje fati, ndeshja do të mbyllet në barazim 1-1.