AlbanianSport.com 04.05.2015 12:55
Tirana ka zhvilluar dje pasdite në “Skënder Halili”stërvitjen e fundit përgatitore në prag të derbit me Partizanin, që do të luhet sot në mbrëmje në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Më parë, që prej mesditës, bardheblutë janë grumbulluar në periferi të kryeqytetit për të drekuar fillimisht e për të pushuar para përgatitjeve të pasdites. Dhe skuadra do të qëndrojë e grumbulluar për të qenë sa më e qetë në prag të derbit me Partizanin.
Ajo që duhet theksuar është fakti se në tre derbi Tirana ka dalë pa “bereqet”, sepse ka barazuar një herë e më pas është mundur dy herë. E ky derb vlen shumë për bardheblutë, të cilët nëse do të fitojnë do të mbajnë ritmin e Skënderbeut kryesues për të pritur sfidën direkte të javës së ardhshme me korçarët në “Qemal Stafa”. Në stërvitjen e fundit të gjithë futbollistët kanë qenë të gatshëm dhe në formë të mirë.
Në Kompleksin “Skënder Halili” interesimi i tifozëve ka qenë i madh para një ndeshje që duhet fituar për titullin. Pas seancës përgatitore bardheblutë janë grumbulluar në periferi të kryeqytetit për të pushuar. Kapiteni Ervin Bulku dhe portieri Edvan Bakaj, që kanë shfaqur probleme gjatë javës, një ditë para ndeshjes janë ne formë të mire dhe nuk kanë shqetësime.