AlbanianSport.com 13.03.2015 21:25
ASNN – Derbi i 141-të i kryeqytetit midis Tiranës dhe Partizanit është ngjyrosur sërish me të kuqe, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro ka fituar me rezultatin 2-1. Ky derbi, i shtyrë 3 herë, është vendosur nga dy gola të shpejtë të Partizanit në pjesën e parë, ndërsa Tirana ka qenë e paqartë në atë të dytën, duke arritur të shënojë, por jo të shmangë humbjen. Sikundër çdo eventiment madhor sportiv, edhe kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ishte shtyrë 3 herë, dy herë për mungesë stadiumi dhe një herë për mungesë sigurie, dhe natyrshëm pritej që interesimi për derbin nr. 141 të kryeqytetit Tirana-Partizani të ishte i madh. Plot 15 mijë bileta u shitën për këtë ndeshje dhe lumenj tifozësh u derdhën drejt Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Përtej rrëmujave të vogla, por të parëndësishme, edhe Policia e Shtetit dëshmoi se ishte në lartësinë e derbit, ashtu sikundër dëshmuan edhe tifozeritë e mrekullueshme të të dyja skuadrave.
Në fushën e blertë, loja nisi në një atmosferë të ndezur dhe me Tiranën më të qartë dhe më agresive. Madje bardheblutë kanë goditur edhe shtyllën horizontale të portës së gardianit të portës së kuqe, Alban Hoxha. Por fati i ndeshjes do të vendoset në pjesën e tij të parë dhe është Partizani që gjen dy herë rrugën e rrjetës, falë dy golave të shpejtë të shënuar në minutat 35 dhe 38, përkatësisht nga Nexhipi dhe Raçiç, por edhe të gabimeve amatoreske të portierit bardheblu, Stivi Frashëri, sidomos në golin e dytë.
Me këtë epërsi dygolëshe do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në të dytat, Tirana do ta kërkojë golin që në nga fillimi dhe do ta gjejë atë në minutën e 60-të, me anë të Mario Morinës. Por, ca nga nxitimi dhe ca nga paqartësia, Tirana nuk ka arritur të gjejë të paktën edhe një gol, edhe pse rastet për shënim i ka patur, madje të pastra.
Mbyllet kështu me fitoren e 56-të të Partizanit ky derbi dhe tashmë lufta për titull është hapur, sepse Skënderbeu kryeson me 54 pikë, dy më tepër sesa Kukësi, ndërsa Tirana dhe Partizani kanë nga 50 pikë secila. Sikundër çdo eventiment madhor sportiv, edhe kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.