AlbanianSport.com 21/01/2021 18:25
ASNN – Tifozët e Partizanit dhe ata të Tiranës përleshen me njëri-tjetrin në Elbasan. Ndonëse tifozeritë nuk lejohen në stadium, për shkak të protokollit të masave për mbrojtjen nga virusi “Covid-19”, tifozë të të dyja ekipeve kanë udhëtuar të mërkurën drejt Elbasanit, për të mbështetur nga jashtë stadiumit skuadrat e tyre.
Dhe, kështu, derbi nuk ka patur vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Tifozët e bardhebluve dhe ata të Partizanit janë përplasur mes tyre në afërsi të stadiumit. Policia është dashur të ndërhyjë për të shpërndarë turmën, ndërkohë që nuk ka munguar përdorja e mjeteve piroteknike dhe gurëve. Një flakadan i ndezur pranë një taksie të krijon përshtypjen e djegies së mjetit lëvizës.
Sherri, nga stadiumi u zhvendos në qendër të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që janë bërë edhe shoqërime. Në një moment mes dy tifozerive ka pasur edhe përplasje, ku është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjithçka. Nga përleshjet janë thyer xhamat e një biznesi, siç rrëfeu edhe pronari i një lokali. Forca të shumta policie kanë shkuar dhe e kanë vënë nën kontroll situatën.