Nga Gjergj Vyshka 22.04.2015 18:25
Duket si dënimi i dhënë dje nga Komisioni i Etikës jo vetëm për Likën, por dhe për të tjerët, është për t’u bërë nder presidentëve, të cilët kështu do të kenë kënaqësinë për të mos i paguar lojtarët e kontraktuar. E jo vetëm kaq, të gjithë në Komisionin e Etikës, kur më parë janë dënuar me të njëjtën akuzë po 6 muaj edhe Alfred Osmani i Teutës dhe Arjan Pisha i Elbasanit, merren me zbatuesit e urdhrave të atyre që qëndrojnë lart në tribunën VIP.
Të cilët për një, apo disa arsye, me çfarëdolloj rezultati në kurriz të cilësisë së futbollit janë të kënaqur, sidomos për nga ana financiare. Parë kështu ajo që duhet të kishte bërë Etika ishte marrja dhe me ata që shkaktojnë trukimin, apo influencimin në rezultat. Sepse nuk janë vetëm këto futbollistë shkaktarët e gjithçkaje, ndërsa në fakt jo rrallëherë nën zë janë etiketuar drejtuesit e klubeve të futbollit si produkt i asaj që tifozët jo pak e kanë vërshëllyer nëpër stadiume.
Dhe në botë ndodh, por ama drejtësia si në rastin e Juventusit është marrë dhe me presidentë klubesh. Ndërsa ajo që nuk po reagon prej vitesh është prokuroria, e cila dhe kur ka pasur raste të denoncimit të trukimeve e ka mbyllur çështjen për mungesë faktesh. Aq më shumë që as Kodi Penal nuk parashikon asnjë penalitet. Shkurt, e djeshmja dhe dënimi 6 muaj i një lojtari që nuk ka luajtur është njollë për Etikën e Federatës Shqiptare të Futbollit, që është e sigurt se më vonë do të rishikojë e do të bëjë ndryshimin e këtyre vendimeve absurde.