AlbanianSport.com 18.04.2015 08:50
ASNN – Në dëshminë e tij dhënë para KAS-it të Lozanës, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit Xhovani de Biazi, ka rrëfyer edhe njëherë tjetër arsyet se përse nuk mund të vazhdohej më ndeshja e 14 tetorit kundër Serbisë në Beograd. “Nëse në një kopësht zoologjik lëshojnë nga kafazi luanin duhet të ikim me vrap të shpëtojmë. Ashtu na ndodhi edhe neve. Nuk kthehemi dot në fushë se kishin hapur dyert e kafazëve. Na goditën! Kjo jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, që për mua është goditja më e rëndë. Unë kisha vetëm një objektiv, të ktheja djemtë e mi në shtëpi shëndoshë e mirë”, ka thënë De Biazi.
Ky detaj nga dëshmia e trajnerit të “Kuqezinjëve” është zbardhur nga platforma e transmetimeve sportive me pagesë, “SuperSport”, e cila ka qenë e vetmja që ka patur gazetar dhe kamera në Lozanë së bashku me delegacionin shqiptar. Më tej trajneri italian, që para ndeshjes me Armeninë mori edhe shtetësinë shqiptare, këmbëngul se askush nuk i ka kërkuar Shqipërisë që të rikthehej në lojë. “Mua dhe askujt nga ne nuk na kërkoi askush të kthehemi në lojë. Nëse duhej të ktheheshim në fushë për të rrezikuar jetën ndoshta do e bënim, por nëse do të na e kërkonin diçka të tillë”, – është shprehur ai.
Pyetjes së avokatit serb: “Po nëse do të vija unë dhe do t’ju thoja që luani është futur sërish në kafaz do të vinit”?, De Biazi iu përgjigj: Atëherë do të të thoja “futu ti i pari””. Përtej kësaj batute De Biazi ka deklaruar se ajo që ka përjetuar atë natë në Beograd ka qenë diçka e tmerrshme, të cilën ai nuk e kishte provuar asnjëherë gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist dhe si trajner. “SuperSport”-i zbardh edhe një faktor në favor të palës shqiptare; dëshmive të palës serbe në CAS. Sekretari i Federatës Serbe nuk u është përmbajtur atyre të dhëna më parë, duke çuditur gjykatësit të cilët kishin në dosje deklarimet e tij të mëparshme.
Gjithashtu dy nga dëshmitarët serbë janë tërhequr dhe nuk janë paraqitur. Sekretari i Federatës Serbe ka mohuar se gjendej në tunelin e dhomave të zhveshjes, siç kishte bërë të ditur më parë, ndërkohë që një tjetër detaj interesant është qartësuar nga propozimi për të boshatisur stadiumin, një ndër pikat e forta të palës serbe. Por kjo ka qenë vetëm një mundësi, pasi diçka të tillë mund të vendoset vetëm nga delegati i ndeshjes, i cili ka pranuar se asnjëherë nuk ka e shtruar këtë opsion.