AlbanianSport.com 07.10.2014 12:55
ASNN – Përfaqësuesja e Danimarkës vazhdon stërvitjen në prag të dy ndeshjeve të vlefshme për Grupin “I” të Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016” dhe shqetësim për trajnerin Morten Olsen, mbetet titullari i mbrojtjes, Simon Kjaer.
Qendërmbrojtësi i Lilës në kampionatin francez, nuk është stërvitur dje me ekipin përfaqësues të Danimarkës, por trajneri Morten Olsen ka vendosur të presë deri në fund për ta patur 25-vjeçarin për dy takimet e radhës, atë kundër Shqipërisë më 11 tetor në “Elbasan Arena” dhe atë kundër Portugalisë 3 ditë më pas.
“Ekziston ende një mundësi që ai të luajë, përndryshe nuk do të ishte këtu, apo jo?” – u është përgjigjur Olsen gazetarëve vendas përsa i përket mundësisë që Kjaer të jetë gati për të luajtur të shtunën.
Kjaeri pësoi një dëmtim në kavilje të enjten, gjatë ndeshjes së skuadrës së tij, Lilës, me ish-skuadrën e tij gjermane, Volfsburgun, të vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
“Kemi ende pikëpyetje përsa i përket asaj që ai mund të jetë gati për ndeshjen e parë, por të paktën kemi shpresa më të mëdha përsa i përket takimit të dytë”, – ka theksuar trajneri danez, duke lënë të nënkuptohet se shtatlarti mund të mungojë ndaj Shqipërisë.