AlbanianSport.com 10.10.2014 21:55
ASNN – Edhe Danimarka, ka mbërritur sot në qytetin e Elbasanit, ku ka zhvilluar stërvitjen e parë. Përpara nisjes së stërvitjes, në një konferencë për shtyp, të dhënë në mjediset e Stadiumit të rindërtuar “Elbasan Arena”, trajneri i përfaqësueses daneze, Morten Olsen, e ka vlerësuar lart Shqipërinë si kundërshtar.
“Jemi të ndërgjegjshëm që na pret një ndeshje shumë e vështirë nesër mbrëma përballë Shqipërisë, – ka thënë ai, duke vijuar: “Nuk do të komentoj ekipin kundërshtar, por mund të them që do të luajmë sikur përballë të kishim Anglinë, apo çdo ekip tjetër të madh.”
“Qëllimi ynë është që të japim maksimumin për të marrë pikët e plota, pasi fitorja do të plotësonte objektivat që kemi këtë edicion, – ka vijuar trajneri danez. – Megjithatë, shanset janë të barabarta për të dy ekipet dhe gjithçka do të varet nga forma e futbollistëve në ditën e ndeshjes.”
“Shqipëria është përmirësuar shumë dhe ka shumë lojtarë me dyshtetësi, – ka theksuar ish-futbollisti legjendar i Danimarkës. – Shqipëria ka një trajner italian shumë të mirë, fusha dhe kushtet duken mjaft të mirë.” Përsa u përket dëmtimeve, Olseni ka sqaruar se Kjaeri do të jetë gati përballë Shqipërisë të shtunën.
Ndeshja midis Shqipërisë dhe Danimarkës do të zhvillohet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.