AlbanianSport.com 15.11.2014 17:55
ASNN – Ndërkohë që Shqipëria është përballur me Francën, mbrëmë kanë zbritur në fushën e blertë, edhe kundërshtarët e grupit tonë eliminator, për të luajtur ballafaqimet e tyre zyrtare në kuadër të “Euro 2016”-s. Kështu, Portugalia ka pritur Armeninë, ndërsa Serbia ka luajtur pa tifozë, pas ndëshkimit të UEFA-s, me danezët e Morten Olsenit. Dhe Serbia do ta ketë mision të pamundur kualifikimin për në “Euro 2016”, pas humbjes turpëruese në shtëpi nga Danimarka.
Kjo e fundit fitoi 3-1 në stadiumin e Partizanit të Beogradit përballë një Serbia të çorientuar dhe pa tifozë, për shkak të pezullimit të UEFA-s. Serbët kaluan në epërsi që në minutën e 4-t të takimit, me anë të Zoran Tosiçit, dhe gjithçka u duk se ata do të bënin ligjin në shtëpinë e tyre. Pas një pjese të parë me këtë rezultat, 45-minutëshi i dytë ishte plotësisht për danezët, të cilët për 25 minuta përmbysën gjithçka. Niklas Bendtner barazoi shifrat në minutën e 60-të.
Dhe vetëm dy minuta më vonë Simon Kjaer përfiton nga hutimi i mbrojtjes vendase dhe i jep kryesimin 2-1 danezëve. Goli i tretë u shënua sërish nga Bendtner në minutën e 85-së. Pas kësaj fitoreje Danimarka ngjitet në krye të Grupit I me 7 pikë, ndjekur me 6 pikë nga Portugalia e cila fitoi me rezultat minimal 1-0 ndaj Armenisë. Kristiano Ronaldo ishte autori i golit të vetëm, të realizuar në minutën e 72-të të takimit të vështirë për vendasit.
Portugalia ngjitet kështu në vendin e dytë duke lënë Shqipërinë në të tretin me 4 pikë. Me këtë gol Ronaldo është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Eliminatorve për Kampionatet Evropiane. Ai ka shkuar në kuotën e 23 golave të realizuar deri më tani, një më shumë sesa ish-sulmuesi i Danimarkës, John Dahl Tomason.