Gjergj Vyshka 27.11.2014 13:55
“Deri në dhjetor do të jem për stërvitje”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për “Gazeta e Sportit” sulmuesi Daniel Xhafaj, i cili është kthyer tashmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po stërvitet me Dinamon.
Lojtari i shumë skuadrave dhe i shumë trofeve, jo vetëm me Dinamon, por dhe me Flamurtarin, Teutën, Besën, Tiranën dhe Skënderbeun. Jo vetëm kaq, por në karrierën e tij ka luajtur dhe tek zviceranët e Nojshatel Ksamaksit.
“Ajo që duhet të them është se Dinamo është shtëpia ime, – ka vijuar ai. – Jam duke u stërvitur dhe vetëm në janar mund të jap një përgjigje më të saktë për të ardhmen time, ndoshta në Superiore”.
Në fakt tek Dinamo e mirëpresin lojtarin për aftësitë që ka në sulm dhe aq më tepër që është dhe Kampion i Shqipërisë më 2001-2002, por sidoqoftë mbetet për t’u parë nëse ai do ta veshë sërish fanellën blu.