AlbanianSport.com 09/03/2019 17:30
ASNN – Ekipi i basketbollit meshkuj të Vllaznisë, ka arritur të shtunën në Shkodër një fitore të madhe ndaj Partizanit, me rezultatin 91-80, duke marrë dy pikë mjaft të vyera që e ndihmojnë të parakalojnë Kamzën në renditje dhe i japin shpresë për mbijetesën, sepse, falë pikëaverazhit, pozicionohet një vend më lart se kamzalinjtë që kanë po ashtu 18 pikë.
Shkodranët fituan 10-minutëshin e parë me shifrat 27-16 dhe u treguan jo vetëm të duruar, por njëherësh të qëndrueshëm në këtë ndeshje, duke mos e humbur për asnjë moment shpresën e fitores. Edhe pse Partizani e fitoi bindshëm 10-minutëshin e dytë me shifrat 25-19, madje dhe 10-minutëshin e 3-të, 22-18, shkodranët besuan deri në fund.
Dhe me fitoren e 10-minutëshin të katërt e të fundit 27-17 ia dolën ta përmbysnin kundërshtarin dhe të fitonin krejt ndeshjen me rezultatin 91-80, duke rritur në maksimum shpresën për të mbijetuar në kategori. Siç dihet, java e 15-të e Superligës së meshkujve do të mbyllet sot në mbrëmje me duelin e madh Teuta-Tirana, një klasike e basketbollit të meshkujve në Shqipëri.
Aty, ku durrsakëve u duhet me patjetër fitorja për të rivalizuar me kreun që mbahet nga rivalja bashkëqytetase, ekipi privat i Goga Basketit. Ndërkohë, në kuadër të javës së 15-të, vetë Goga Basket fitoi duelin e saj me Kamzën, 92-75, duke qenë në vend të parë me 28 pikë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 15-të
Të premten, 8 shkurt 2019:
Kamza – Goga Basket 75-92
E shtunë, 9 shkurt 2019:
Vllaznia – Partizani 91-80
E diel, 10 shkurt 2019:
Teuta – Tirana (18:00)
Pallati i Sportit “Ramazan Njala”, Durrës
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 15 13 2 28
- Teuta 14 10 4 24
- Partizani 15 8 7 23
- Tirana 14 7 7 21
- Vllaznia 15 3 12 18
- Kamza Basket 15 3 12 18