AlbanianSport.com 04.07.2015 07:55
ASNN – Kampionati i Futbollit të Amerikës Jugore, që njihet si “Copa America”, ka luajtur mbrëmë ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa sonte luhet finalja e madhe. Në duelin ngushëllues, Peruja ka dëshmuar se ecuria e saj në këtë veprimtari, që u ndal vetëm në gjysmëfinale nga vendi organizator, Kili, nuk ishte një rastësi, duke triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Paraguajit.
Pjesa e parë e këtij takimi është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa me fillimin e të dytës, peruanët e kanë gjetur epërsinë me anë të Andrè Karrijos, i cili përfiton nga pasiguria e mbrojtjes kundërshtare dhe përshëndet rrjetën. Paraguaji është i paqartë në minutat në vazhdim, ndërsa Peruja e administron me qetësi epërsinë dhe synon të godasë me anë të kundërsulmit.
Dhe nga një i tillë do të vijë edhe goli i dytë, një minutë para fundit të kohës së rregullt, me autor Guerreron, i cili vulos fitoren e Perusë me shifrat 2-0 dhe bashkë me të edhe vendin e 3-të. Ndërkaq, sonte, duke nisur nga ora 22:00, luhet finalja e madhe, ku Argjentina do të synojë të prishë traditën e kësaj veprimtarie, të cilën e fiton vendi organizator, kur të përballet me Kilin.
Përfaqësuesja vendase do të ketë si sfidë kryesore neutralizimin e Lionel Mesit, ndonëse Argjentina ka dëshmuar se ka një skuadër të konsoliduar që nuk është e varur nga ylli i Barcelonës.