Gjergj Vyshka 04.01.2015 18:45
Federata Shqiptare e Çiklizmit ka bërë mbledhjen e parë të kryesisë për vitin 2015. Sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj, në këtë mbledhje është bërë ndarja e grandit të dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit.
Ndërkohë që është vendosur që më 20 shkurt, në ora 11:00, në mjediset e hotel “Doro City”, do të zhvillohet analiza vjetore. Por më 28 shkurt, ndonëse është datë që do të mund të ndryshohet, do të zhvillohet gara e parë kombëtare, që është “Kupa e Vëllezërve Murriqi”.
“Kemi 15 veprimtari ndërkombëtare për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, – ka pohuar nr. 2 i organizmit që qeveris dyrrotakët kuqezi. – Mes të cilëve Kampionati Evropian në Estoni dhe Kampionati Botëror në Amerikë. Pa harruar dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Evropiane, atje ku janë kualifikuar me normë Kopshti dhe Nika.”
“Shpresojmë që gjatë vitit të bëjmë më të mirën”, – ka përfunduar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj, kurse çiklizmi është në prag të aktiviteteve për vitin 2015.