AlbanianSport.com 01.06.2015 21:30
ASNN – Çiklisti shqiptar, Eugert Zhupa e mbylli etapën e 21-të të Xhiros së Italisë dhe krejt premierën e tij historike si profesionist në mënyrën më të mirë të mundshme. Në epilogun e Milanos të asaj që është një nga dy garat më të mëdha të këtij sporti në botë, shqiptari u rendit në vendin e 16- të me kohën 4 orë, 18 minuta dhe 46 sekonda, me 9 sekonda më shumë se fituesi i etapës epilog mes 163 çiklistëve.
Ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm, Zhupa u rendit në vendin e 157-të, me 94 orë, 32 minuta e 36 sekonda. Një përfaqësim dinjitoz për Eugert Zhupën në një garë prestigjioze si kjo e Xhiros së Italisë. Përpara kësaj pjesëmarrjeje, Zhupa do të kurorëzohej si nënkampion Ballkani në garën e rrugës me fanellën kuqezi në eventin e organizuar në Banja Luka.
Çiklisti nga Rrogozhina do të vijojë konkurrimet e tij ndërkombëtare nga data 18, deri më 21 qershor 2015, në Lojërat e para Evropiane, të cilat mbahen në Baku të Azerbajxhanit. Së bashku me legjionarin tjetër kuqezi Redi Halilaj, çiklisti nga Rrogozhina do të garojnë në disiplinën e Rrugës. Dy çiklistët do të shoqërohen nga trajneri Dashamir Rama.
Në Olimpiadën Evropiane, që do të zhvillohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, gjatë këtij muaji, Shqipëria do të marrë pjesë me 28 sportistë që do të garojnë në 9 disiplina sportive: atletikë, boks, çiklizëm, not, mundje, karate, xhudo, taekuondo dhe qitje.