AlbanianSport.com 30/08/2018 20:05
ASNN – Turi i Francës do të kalojë edhe nëpër Danimarkë. Kryeqyteti danez është kandidat që gara më e madhe çiklistike në botë të presë sportistët në 2020 ose 2021. Kështu është vendosur pas bisedës që presidenti francez, Makron bëri me kryeministrin danez Rasmusen.
Gjatë një vizite shtetërore në Danimarkë, Makroni zbuloi se Turi i Francës, mund të kalojë edhe në Kopenhagë. Gara më e madhe e çiklizmit në botë, e cila zgjat mbi tre javë, e që zhvillohet gjithnjë në korrik, shpeshherë del edhe jashtë Francës. Për 2019-ën është vendosur që do të jetë Brukseli ai që do presë çiklistët.
Por duket se edhe Kopenhagen është një kandidat për të pritur garën për vitin 2020 ose 2021. Makron dhe kryeministri danez Lars Loke Rasmusen, i pasionuar pas çiklizmit, kaluan një orë duke pedaluar rreth ujërave të Kopenhagës.
Presidenti francez gjithashtu i dhuroi kryeministrit danez, fanellën e verdhë, të veshur nga fituesi i turneut të mëparshëm, të nënshkruar nga kampioni aktual, Gereint Tomas i Uellsit. Edhe drejtori i Turit të Francës, Kristian Prud’hom ishte në delegacionin e Makronit në Danimarkë.