Tiranë-Shkodër, 94.3 km e gjatë, ka qenë itinerari i etapës së dytë të Rrethit të 72-të çiklistik të Shqipërisë, i cili startoi të mërkuren me etapën e parë 12.6 km e gjatë kronometër individuale. Rreth 40 çiklistët përfaqësues të dhjetë ekipeve pjesëmarrëse, mes të cilave edhe tre të huaja, pedaluan paraditen e së enjtes në një etapë që nisi nga kryeqyteti, me destinacion kryeqendrën e Veriut.
Atje ku sporti i çiklizmit dhe biçikleta janë një traditë e kahershme e këtij qyteti, ndërsa sporti i dyrrotakëve ka edhe zanafillën e tij në vitin 1920 me garen e parë kombëtare Shkodër-Koplik e kthim, por edhe atë ndërkombëtare. Rrethi çiklistik i vitit 1925 është cilësuar si i pari i organizuar në Evropë për amatorë. Një etapë si kjo Tiranë-Shkodër, është karakterizuar tradicionalisht si ndër më të bukurat e rretheve çiklistike të Shqipërisë, sidomos në kohën kur për Vllazninë konkurronin emra të tillë klasi si Agim Tafili, Brahim Sykja, Sykti Tafili, Leonard Kola, Sabedin Hoxha, etj.
Këto dy të fundit, Kola si president dhe Hoxha si trajner kanë marrë përsipër të ripërtërijnë traditën e Vllaznisë me një grup çiklistësh shkodranë, mes të cilëve spikat një 14 vjeçar i talentuar si Bruno Kola, djali i ish çiklistit Leonard Kola. Për presidentin e Federates Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, bazuar në të dhënat që ai disponon është një Agim Tafil i dytë.
Sidoqoftë, edhe pse finishi i caktuar nga organizatorët në sheshin e lagjes Parrucë nuk ishte me atë popullaritet si në vitet e mëparshme, sërishmi shkodranët nuk kanë munguar të jenë të shumtë në të dy anët e rrugët hyrëse të qytetit duke duatrokitur çiklistët pjesëmarrës që i drejtoheshin finishit.