AlbanianSport.com 03.10.2015 10:45
ASNN – Etapa e dytë e Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë, e cila ka nisur në Shkodër dhe ka përfunduar në Burrel, me gjatësi 98.3 kilometra, është zhvilluar e fortë dhe e bukur. 40 çiklistët e federuar në 10 ekipe kanë rivalizuar mes tyre për të mbërritur të parët në sheshin “Demokracia” të qytetit të Burrelit. Për gjyqtarin Artan Gjurgjaj pjesa më e veçantë e garës ishte ngjitja nga Ura e Ulzës deri në Qafë-Ulëz, një malore kjo me pjerrësi të theksuar.
“Etapa pati momente të bukura, – theksoi Gjurgjaj. – Të gjithë dëshironin të ishin në krye. Dukej qartë përgatitja fizike e çiklistëve të Apolonisë, Teutës dhe Velo Kumanova. Pedaluan me mirë dhe arritën të ishin në krye Stankoviç i Novi Pazarit, Besmir Banushi i Apolonisë dhe Ylber Sefa i Kosovës. Ajo që shqetësoi, jo vetëm çiklistët, por dhe shoqëruesit e tyre, ishte rruga e dëmtuar në segmentin Baz-Burrel. Rruga me gropa dhe kanale ndikoi në ritmin e garës.”
“Në gjykimin tim, aftësi të mira treguan në këtë garë edhe pesë çiklistët e Matit të drejtuar nga trajneri i pasionuar Xhemal Tusha”, – shtoi ai. Me duartrokitje është pritur mbërritja në qendër të qytetit Burrelit e serbit Marko Stankoviç i Novi Pazarit. Pak çaste pas tij kanë ardhur Besmir Banushi i Apolonisë dhe Ylber Sefa i Kosovës. Drejtuesit e FSHÇ-së dhe zyrtarët e Bashkisë Mat, pjesëmarrës në ceremoninë e organizuar në përfundim të kësaj etape, kanë shpërndarë çmimet dhe kanë stimuluar tre fituesit e etapës së dytë, Shkodër-Burrel.
Rrethi i 72-të Çiklistik i Shqipërisë
Fituesit e etapës së dytë
Shkodër-Burrel (98.3 kilometra)
1) Marko Stankoviç (Novi Pazar) 2h48’46”
2) Besmir Banushi (Apolonia) 2h49’53”
3) Ylber Sefa (Kosovë) 2h50’35”
Renditja e përgjithshme individuale
1) Marko Stankoviç (Novi Pazar) 5h23’20”
2) Besmir Banushi (Apolonia) 5h24”00”
3) Ylber Sefa (Kosovë) 5h25’10”
Renditja e përgjithshme ekipore
1) Apolonia 16h20’43”
2) Teuta 16h34’47”
3) Velo Kumanova 16h36’51”