Gjergj Vyshka 17.04.2016 12:20
Shqipëria ka marrë medalje bronzi në Kampionatin Ballkanik të Pistës, që është zhvilluar në Greqi, ndërsa skuadra, e cila është drejtuar nga Donald Mukaj, ka pasur në përbërje Kledison Canin, Sali Ballgjinin dhe Mersin Dyrmishin. Në fakt përpara këtij Kampionati Ballkanik është bërë edhe një trajnim dhjetëditor nga Federata Evropiane e Çiklizmit.
E sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj, janë katër garë të ndryshme. Në garën e sprinteve Kledion Cani ka hyrë në çerekfinale dhe në baterinë e tij ka dalë i 3-ti, si dhe i 6-ti mes 13 pjesëmarrësve. Në garën me eliminime në çdo dy xhiro, Sali Ballgjini ka dalë i 7-ti dhe Mersin Dyrmishi, i 6-ti mes 13 pjesëmarrësve.
Në garën e sprintit ekipor, atje ku u mor medalja e bronzit, Shqipëria ishte 3 sekonda larg vendit të parë dhe një sekondë e gjysmë nga vendi i dytë. Si individë, Kledison Cani, në finishin e 250 metrave, kishte kohën 12”824, kurse Dyrmishi regjistroi 13”128 dhe Ballgjini 12”991. Pritet që edhe në ditën e dytë të ketë përsëri medalje nga çiklistët kuqezi.