AlbanianSport.com 03.10.2015 16:15
ASNN – “Za milica pobeda vilim te”, shqipëruar: “Fitore për ty Milica”. Ky ishte dedikimi i çiklistit të Novi Pazarit, që ka hedhur kandidaturën për të qenë ai fituesi i Rrethit të 72-të çiklistik të Shqipërisë. Zyrtarë të Bashkisë Mat dhe banorë të qytetit Burrelit u rezervuan një pritje miqësore sportistëve dhe zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Me duartrokitje është pritur mbërritja në qendër të qytetit Burrelit e serbit Marko Stankoviç i Novi Pazarit.
Pak çaste pas tij kanë ardhur Besmir Banushi i Apolonisë dhe Ylber Sefa i Kosovës. Drejtuesit e FSHÇ-së dhe zyrtarët e Bashkisë Mat, pjesmarrës në ceremoninë e organizuar në përfundim të kësaj etape, kanë shpërndarë çmimet dhe kanë stimuluar tre fituesit e etapës së dytë, Shkodër-Burrel.
Skënder Anxhaku, Kastriot Punavija dhe Armanda Murrani kanë dhënë certifikatat e vendeve të para, si dhe shpërblimet e dhëna nga Bashkia Mat për Stankoviç, Banushin e Sefën. Në fjalën e tij Presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, tha se Policia e Shtetit duhet falënderuar për ndihmën e dhënë në mbarëvajtjen e kësaj etape të vështirë. “Ne – vijoi ai – falënderojmë Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Bashkinë Mat dhe Komitetit Olimpik Shqiptar që dhanë ndihmesën e tyre në zhvillimin e këtij aktiviteti të bukur. Ne si federatë i kemi akorduar një titull mirënjohje kryetarit të Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, për kontributin dhe impenjimin e tij për sportin e çiklizmit”, nënvizoi Anxhaku. Ra sy çiklisti serb Stankoviç. Pas marrjes së certikatës nga zyrtari i Bashkisë Mat, Kastriot Punavija dhe kupës nga numri një i çiklizmit Skënder Anxhaku, ai nxorri një letër ku shkruhej “Za milicu pobeda vilim te”. Shqipëruar: Fitore për ty Milica. Sot do të shkohet nga Burreli në Durrës.
Rrethi i 72-të Çiklistik i Shqipërisë
Fituesit e etapës së dytë
Shkodër-Burrel (98.3 kilometra)
1) Marko Stankoviç (Novi Pazar) 2h48’46”
2) Besmir Banushi (Apolonia) 2h49’53”
3) Ylber Sefa (Kosovë) 2h50’35”
Renditja e përgjithshme individuale
1) Marko Stankoviç (Novi Pazar) 5h23’20”
2) Besmir Banushi (Apolonia) 5h24”00”
3) Ylber Sefa (Kosovë) 5h25’10”
Renditja e përgjithshme ekipore
1) Apolonia 16h20’43”
2) Teuta 16h34’47”
3) Velo Kumanova 16h36’51”