Në grupin e parë edhe 14-vjeçari i talentuar shkodran, Bruno Kola, ndërkohë që Besmir Banushi ka mbajtur fanellën e verdhë. Sot drejt Burrelit. Tiranë-Shkodër, 94.3 km e gjatë, ka qenë itinerari i etapës së dytë të Rrethit të 72-të çiklistik të Shqipërisë. Rreth 40 çiklistët përfaqësues të dhjetë ekipeve pjesëmarrëse, mes të cilave edhe tre të huaja, pedaluan paraditen e së enjtes në një etapë që nisi nga kryeqyteti, me destinacion kryeqendrën e Veriut.
Sidoqoftë, edhe pse finishi i caktuar nga organizatorët në sheshin e lagjes Parrucë nuk ishte me atë popullaritet si në vitet e mëparshme, sërishmi shkodranët nuk kanë munguar të jenë të shumtë në të dy anët e rrugët hyrëse të qytetit duke duartrokitur çiklistët pjesëmarrës që i drejtoheshin finishit. Natyrisht që emocionet më të mëdha i sollën një grup prej dhjetë çiklistësh, të cilët, pas një rivaliteti që përshkoi pedalimin e kësaj gare, arritën ta prisnin të parët finishin.
Ata iu shkëputen grupit të madh në Beltojë, pak kilometra përpara hyrjes në qytet, dhe hynë në finishin në Parrucë me një sprint të fuqishëm. I pari e kaloi vijën e mbërritjes çiklisti tiranas që përfaqëson Kosovën, Ylber Sefa, me kohen 2 orë, 19 minuta dhe 44 sekonda. Ai ka qenë i ndjekur me nga një dhe dy sekonda më tepër nga Marko Stankoviç i Novi Pazarit të Serbisë dhe Stefan Petrovski i Apolonisë. Krejt pranë tyre ka qenë edhe çiklisti i talentuar shkodran, Bruno Kola.
Edhe pse nuk mori një vend nderi, duartrokitjet e publikut dhe vlerësimet nga ana e specialistëve ishin të shumta për të. Si zakonisht në mbyllje të etapës, Federata Shqiptare e Çiklizmit, në bashkëpunim me klubin shumësportësh “Vllaznia”, organizoi ceremoninë e shpalljes së fituesve të etapës duke ngjitur në podium tre më të mirët e saj.
Për Sefën ishte rezervuar një kupë simbolike shoqëruar edhe me stimujt material për tre fituesit. Pas dy etapash, si ekip kryeson ai i Apolonisë, ndërkohë që në klasifikimin individual, i pari është vlonjati Besmir Banushi i ndjekur nga Ylber Sefa dhe Marko Stankoviç. Turi Çiklistik i Shqipërisë vijon diten e premte me etapen e tretë, e cila nis në orën 09:30 sërishmi në lagjen Parrucë, për të vijuar me itinerarin Shkodër-Burrel, 98.3 km e gjatë.
Rrethi i 72-të Çiklistik i Shqipërisë
Fituesit e etapës së dytë
Tiranë-Shkodër 94.3 km
1) Ylber Sefa (Kosova) 2h19’44”
2) Marko Stankoviç (Novi Pazar) 2h19’45”
3) Stefan Petrovski (Apolonia) 2h19’46”