AlbanianSport.com 01/06/2018 22:40
ASNN – Përtej një renditjeje në vendin e 7-të midis 12 ekipeve pjesëmarrëse, shumica dërrmuese e të cilëve ishin ekipe profesioniste të mirëpajisura dhe të mirëstërvitura, Shqipëria ka bërë një paraqitje të mirë edhe individualisht me sportistët e saj. Sa u përket çiklistëve shqiptarë në etapën e parë, Tiranë-Korçë, më i miri ishte Ridion Kopshti, i cili mbërriti i 21-ti në finish, kurse Klidi Jaku erdhi i 36-ti, Xhuliano Kamberaj i 49-ti, Besmir Banushi i 52-ti e Iltjan Nika e Marolino Hoxha përkatësisht i 56-ti e i 57-ti.
Në etapën e dytë, atë Korçë-Elbasan, e cila ishte edhe më e gjata e Rrethit me 189.9 kilometra, diferencën në finishin e Elbasanit do ta bëjnë sprintierët. Duke përfituar edhe nga një gabim i Xhuliano Kamberajt në një kthesë të fundit, Nikolas Marini i skuadrës rumune të “MSTina Fokus” vjen i pari në vijën e finishit, duke lënë pas çiklistin kuqezi, i cili fiton betejën me italianin Paolo Toto. Duke folur për Radio-Televizionin Shqiptar pas gare, Kamberaj ka shprehur keqardhjen për fitoren e munguar.
Etapa e 3-të, ajo Elbasan-Vlorë, e cila ishte 171.9 km e gjatë, ka patur një ndryshim mjaft të rëndësishëm, sepse, ndryshe nga edicioni i vjetshëm, itininerari i saj nuk e përfshinte ngjitjen e Qafë-Krrabës, çka e ka shndërruar atë në një etapë fushore. Për këtë arsye, ajo do të shndërrohet edhe në etapën me shpejtësinë më të madhe të garimit, plot 46.2 kilometra në orë. Dhe podiumi i garës do të përbëhet po nga ajo 3-she që u ngjit edhe në Elbasan, por këtë radhë rolet u këmbyen.
Nikolas Marini, i pari në Elbasan, u detyrua të kënaqej me vendin e 3-të në Vlorë, ndërsa Xhuliano Kamberaj e fitoi sërish betejën me Paolo Totonë, duke përsëritur kështu triumfin e edicionit të shkuar pikërisht në këtë etapë. Një fitore kjo që e ka gëzuar mjaft çiklistin vlonjat që garon në Itali. Etapa e 4-t, Vlorë-Sarandë, ka qenë e vështirë për kuqezinjtë, por ajo e 5-ta ka sërish shpresëdhënëse deri në finishin e saj në Fier.
Një finish ku Xhuliano Kamberaj ka qenë shumë pranë fitores, por humbja e përqendrimit i ka kushtuar shkallën e parë të podiumit, duke u detyruar të kënaqet me atë të dytën. Sepse irlandezi i skuadrës belge të “Asfa Racing Team 2018”, Mark Hini, i ka vjedhur fitoren në metrat e fundit. Podiumin e ka plotësuar italiani Rikardo Stakioti i skuadrës rumune të “MSTina Fokus”-it, ndërsa Kamberaj nuk e ka fshehur zhgënjimin me veten.
Me dy vende të dyta dhe një etapë të fituar nga Xhuliano Kamberaj, çiklizmi shqiptar e ka mbyllur me sukses edhe këtë Rreth të 75-të, që ishte i dyti pjesë e kalendarit ndërkombëtar.