Gjergj Vyshka 13.03.2015 08:40
Skënder Anxhaku, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ka ardhur me një sërë projektesh nga Kongresi i Federatës Evropiane të Çiklizmit, i cili nga data 6, deri më 8 mars 2015 është zhvilluar në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë. Ai ka qenë së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello.
Ndërsa bisedat e tij jo vetëm me presidentin e Federatës Botërore të Çiklizmit, Brajan Rokson, por dhe atë të Evropës, David Lapardie, kanë pasur të bëjnë në rritjen e bashkëpunimit të Shqipërisë me këto institucione ndërkombëtare. Që do të thotë më shumë pjesëmarrje në veprimtari ndërkombëtare.
Po kështu edhe më shumë ndihmë në bazë materiale për të cilën çiklizmi shqiptar ka shumë nevojë. Duke shpjeguar llojin e asamblesë që u zhvillua në Bratislavë, Anxhaku do të bënte të ditur se ishte analiza vjetore e punës. “Janë shtruar të gjitha problemet që lidhen me zhvillimin e çiklizmit në kontinentin tonë”, – ka rrëfyer ai.
“Janë diskutuar aktivitetet e Xhiros së Italisë dhe Turit të Francës, si dy veprimtari që i japin shumë forcë çiklizmit evropian. Por mbi të gjitha është diskutuar dhe ndihma për Unionin Ballkanik, anëtare e së cilës jemi dhe ne. Kësisoj ka qenë një mbledhje e frytshme, që shumë shpejt do të ketë dhe ndikimin e vet në vendin tonë”, – ka përfunduar kreu i FSHÇ-së.