Etapa e dytë e Rrethit të 73-të Çiklistik të Shqipërisë, Tiranë-Shkodër ka pasur dhe probleme jo të pakta. E kjo jo vetëm gjatë pedalimit, por dhe në mbyllje të saj. Në prononcimin e dhënë për mediet në përfundim të kësaj etape, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, bëri të ditur një incident që ndodhi në pjesën e zonës së Fushë-Krujës.
Pas një përplasjeje mes disa çiklistëve, korçari Isert Xhatolli dhe malazezi Igor Xhabiç kanë pasur dëmtime më të mëdha dhe të shumta. I pari, i cili ka pasur plagë të rënda, është transportuar urgjentisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku i është dhënë ndihma e shpejtë dhe në orët e pasdites së djeshme drejtuesit e Federatës Shqiptare të Çiklizmit kanë lajmëruar se gjendja e tij është më e përmirësuar.
Ndërkohë çiklisti malazez, falë edhe afërsisë gjeografike të Shkodrës me shtetin fqinjë, është transportuar pranë familjes së tij në Podgoricë dhe për sa i përket vazhdimësisë së garës ai pritet të jetë sot në Shkodër për nisjen e etapës së 3-të. Incidenti i Fushë Krujës nuk ka qenë i vetmi, pasi këtë radhë, si asnjë here tjetër, pedalimi drejt Shkodrës dhe sidomos në hyrje të qytetit për finishin e saj ka qenë tejet i vështirë.
Masat e marra nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe sektorit të qarkullimit rrugor nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Pasi ka vënë në dukje edhe një incident tjetër, i ndodhur një javë më parë në rrugën e Dajtit në Tiranë me dëmtimin e një çiklisti në rrezik serioz për jeten, Anxhaku ka përcjellë një apel në adresë të Policisë së Shtetit që të jenë më e pranishme gjatë këtij Rrethi për të mundësuar ecurinë e konkurrimit.
Në rast të kundërt ka paralajmëruar se edhe mund ta mbyllin fare atë, sepse përpara jetës dhe sigurisë së çiklistëve ato nuk mund të tolerojnë raste të tilla. Dhe këtë e ka kërkuar që në ditën e sotme në etapën e tretë Shkodër-Ulëz-Burrel, e gjatë 98.3 kilometra.