Përpara nisjes së etapës së tretë të Rrethit të 73-të Çiklistik të Shqipërisë, asaj me itinerar Shkodër- Burrel, është mbajtur nga çiklistët pjesëmarrës një minutë heshtje për ish-çiklistin e Vllaznisë, Aleksandër Lazrin.
Ky i fundit u nda nga jeta pasditen e së mërkurës, pas një aksidenti automobilistik. Pasi kishte qenë së bashku me të gjithë pjesëmarrësit e Rrethit në rolin e një shoqëruesi zyrtar të Vllaznisë, Lazri pati ndjekur prej së afërmi etapën e djeshme Tiranë-Shkodër.
Nga sa bëhet e ditur, gjatë udhëtimit me një motor sportiv drejt komunës Guri i Zi, në periferi të qytetit, humbja e ekuilibrit e ka rrëzuar për tokë duke marrë dëmtime të rënda, aq sa rrugës për në spital ka ndërruar jetë.
Njëkohësisht çiklistët e Vllaznisë kanë mbajtur dje në duar një pankartë ku shkruhej: “Faleminderit për gjithçka, Aleks!”, në shenjë respekti për mbështetjen morale dhe financiare të dhënë për ta.