Gjergj Vyshka 05.10.2015 07:05
Marko Stankoviç fiton garën e sajuar Lushnjë-Përmet dhe ruan vendin e parë në renditjen e përgjithshme duke qenë pretendent për fitimin e Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë.
Ndryshe nga vitet e kaluara, Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, që është veprimtaria më e madhe e dyrrotakëve në vend, aq më shumë që sivjet kishte 90-vjetorin e saj, është detyruar të heqë një etapë.
E kjo për mungesë të fondeve jo vetëm nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, por dhe të klubeve, të cilët duket se nuk kishit shtatë ditë dieta për të përballuar këtë veprimtari madhore të këtij sporti në Shqipëri.
Në programin e shpallur nga Federata Shqiptare e Çiklizmit ishte parashikuar që, sipas kalendarit, të garohej nga Durrësi në Vlorë, një etapë fushore-kodrinore, e gjatë 118 kilometra.
Por kjo është hequr dhe duke bashkuar këtë etapë të hequr dhe atë Vlorë-Përmet, që duhet të bëhej sot, është caktuar Lushnjë-Përmet. E sot Rrethi i 72-të Çiklistik i Shqipërisë përfundon në Fier.