Gjergj Vyshka 07.04.2016 10:50
Një kupë për Fejzi Povatën, ndërsa të premten çiklizmi shqiptar do të jetë për herë të dytë këtë vit në rrugë. Më parë kanë qenë në Kupën “26 Marsi” në Kavajë, atje ku Vllaznia, së bashku me Bruno Kolën dhe Kledian Canin kanë qenë fitues.
Kurse tani kanë zgjedhur Fejzi Povatën, jo vetëm për ta nderuar, por dhe për ta kujtuar këtë figurë të çiklizmit durrsak dhe atij shqiptar. Gjithçka do të organizohet të premten në ora 10:00, ndërsa nisja do të jetë në rrethrrotullimin e TEG-ut.
Sipas programit, kategoria e paratërinjve dhe të rinjve do të kenë 6 xhiro cirkuit TEG-Kristal Center dhe kthim në një gjatësi prej 75 kilometrash. Kurse kategoria e Nën-23-vjeçarëve dhe ajo “Elitë”, do të ketë dy xhiro cirkuit TEG-Kristal Center.
Për të vazhduar më pas në Kërrabën, Tuneli i Elbasanit, Kërrabë tek kilometri 29 dhe në fund edhe dy xhiro të tjera cirkuit TEG-Kristal Center me një gjatësi prej 142 kilometrash.
Një veprimtari që është nën mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), si dhe Kompanisë “Kristi Mermer Granit”.