Gjergj Vyshka 08.08.2015 12:55
Ka nisur dje në Tartu të Estonisë Kampionati Evropian i Çiklizmit për moshën deri në 23 vjeç, ndërsa në të merr pjesë dhe Shqipëria. Dy rrotakët kuqezi për të rinj përfaqësohen nga Klidi Jaku, Realdo Ramaliu dhe Erion Toska, ndërsa trajneri i kësaj kombëtareje është Dashamir Rama.
Jo vetëm kaq, por për Nën-23-vjeçarët Shqipëria do të përfaqësohet nga Ridion Kopshti, Xhuljano Kamberaj dhe Marildo Yzeiraj. Delegacioni shqiptar kryesohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.
Ndërsa pjesë e tij është dhe sekretari i përgjithshëm Alfred Tahiraj. E jo vetëm kaq, por në delegacion është dhe Drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Vladimir Gjonaj.
Pikërisht dje ka qenë gara e kronometrit për të rinj, atje ku Klidi Jaku ka zënë vendin e 57-të me kohën 24’53”308, kurse Realdo Ramaliu është renditur i 75-ti me kohën 26’25”325.
Për t’u evidentuar është se shqiptarët do të marrin pjesë në garën e kronometrit dhe të rezistencës, kurse sot do të jetë radha e të rinjve.