Gjergj Vyshka 08.05.2016 12:35
Është Marsel Kitel sprintieri i parë i Xhiros së Italisë për vitin 2016. Gjermani dominon situatën në shpërthimin e fundit drejt finishit në etapën e dytë, e cila është ende në Holandë, Arhem-Nijmegen 190 kilometra.
Kitel ka lënë nga pas francezin Demare dhe Sasha Modolon. Çiklisti holandez Dumulin, fituesi i etapës së parë me kronometër, mban fanellën rozë, teksa është përsëri përpara sllovenit Rogliç, ndërsa gjermani Kitel është vetëm një sekondë pas tyre.
Etapa e dytë, thuajse e gjitha në një terren fushor, ka dhënë një shkëputje të gjatë të treshes së përbërë nga Berlato, spanjolli Fraile dhe holandezi Tjalingi. Çiklisti venecian ka qenë i fundit i kësaj tresheje që ka rënë vetëm 9 kilometra larg finishit, ndërsa është arritur nga grupi i madh i ndjekësve.
Sot do të jetë etapa e fundit në Holandë dhe pastaj transferimi të hënën drejt Italisë dhe gjithçka nis të martën nga Katanzaro. Për shqiptarin Eugert Zhupa, që sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, shquhet si për garat e shpejtësisë, apo në terren fushor, por dhe ato malor, ka qenë një etapë më e mirë se sa kronometri.
Ka qenë i 54-ti në finish mes 198 pjesëmarrësve duke pasur të njëjtën kohë me vendin e parë të gjermanit Kitel. Që do të thotë se ka mbërritur me grupin e madh. Pra një kohë shumë më e mirë se sa në kronometër, që të bën të shpresosh se në vazhdim do të kemi të tjera paraqitje të mira të Zhupës, i cili në renditjen e përgjithshme është rritur me nëntëmbëdhjetë vende.
Sepse është i 174-ti mes 198 pjesëmarrësve në Xhiron e Italisë.
Xhiro e Italisë 2016 në Çiklizëm
Rezultatet teknike të etapës së dytë
(Arhem-Nijmegen, 190 kilometra)
1) Marsel Kitel (Gjermani) 4h38’31”
2) Arnaud Demare (Francë) – “ –
3) Sasha Modolo (Itali) – “ –
4) Moreno Hofland (Holandë) – “ –
5) Nikola Rufoni (Itali) – “ –
6) Aleksandër Porsev (Rusi) – “ –
7) Kaleb Van (Australi) – “ –
8) Kristian Sbaralji (Itali) – “ –
9) Andrei Amador (Kosta Rika) – “ –
10) Xhiakomo Nicolo (Itali) – “ –
———————————————————-
54) EUGERT ZHUPA (SHQIPËRI) – “ –
Renditja e përgjithshme pas dy etapash
1) Tom Dumulin (Holandë) 4h49’34”
2) Primoz Roglic (Slloveni) 4h49’34”
3) Marsel Kitel (Gjermani) +1”
4) Andrei Amador (Kosta Rika) +6”
5) Tobias Ludvigson (Suedi) +8”
6) Moreno Mozer (Itali) +12”
7) Bob Jungels (Luksemburg) +13”
8) Matias Brandle (Australi) +14”
9) Silvian Dilier (Zvicër) +15”
10) Roxher Kluge (Gjermani) +15”
—————————————————————–
174) EUGERT ZHUPA (SHQIPËRI) +1’33”