Gjergj Vyshka 18.12.2015 11:35
Disiplina “Montain bike” e çiklizmit shqiptar kthehet me “Çiklokrosin” më 3 janar 2016 me garën që do të zhvillohet nga Tirana në Golem në një gjatësi prej 68 kilometrash. Është një tjetër veprimtari e mbështetur nga Federata Shqiptare e Çiklizmit dhe Bashkia e Tiranës, si dhe disa sponsor të këtij gare.
Organizatorët kanë bërë të ditur se do të marrin pjesë 60 pjesëmarrës, ndërsa regjistrimi final do të jetë më 2 janar nga ora 18:00-20:00 në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Nisja e garës do të bëhet nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në ora 10:00, kurse shpërndarja e çmimeve për fituesit do të jetë në ora 15:00, në Golem.
Gjatë garës, sipas organizatorëve, do të ketë katër vende të caktuara për pikë maksimale, ndërsa do të shkohet deri në lartësinë 410 metra. Ndarja e kategorive është profesionistë, “Klasi P-1” (për datëlindjen deri në 31 dhjetor 1996), “Klasi P-2” (për datëlindjen pas 31 dhjetorit 1996), “Amatorë” që do të kenë edhe dy nëngrupe “A1” dhe “A2”, si dhe femra.
Edhe klasifikimi do të bëhet sipas këtyre kategorive, ndërsa për fituesit do të ketë edhe shpërblim financiar. Që do të thotë se vendi i parë përfiton 500 euro, i dyti 250 euro dhe i treti 150 euro. Po kështu, tre vendet e para të çdo kategorie do të kenë kupa dhe medalje.