Gjergj Vyshka 13.03.2015 14:40
Më 9 prill 2015 nënshkrim marrëveshje me Federatën Franceze të Çiklizmit për bashkëpunim. Presidenti i Federatës Evropiane të Çiklizmit, David Lapardie, është njëkohësisht dhe presidenti i Federatës Franceze të së Çiklizmit. Në këtë kuptim, kjo dhe pas bisedave që janë zhvilluar në Bratislavë, është lënë që më 9 prill të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes dy Federatave në Paris.
“Kuptohet që nga kjo marrëveshje lind më shumë bazë materiale për sportistët tanë, të cilën e kanë të nevojshme për të rritur cilësinë e tyre”, – ka sqaruar presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.
Po kështu, ka pasur biseda dhe me presidentët e Federatave të Italisë, Norvegjisë, Suedisë. “Ne do të jemi të pranishëm në të gjitha veprimtaritë në Itali, – ka thënë kreu i FSHÇ-së.
“Po kështu do të marrim pjesë dhe në Turin e Serbisë, apo në Kampionatin Evropian të Estonisë, – ka vijuar Anxhaku. – E vërteta është se ne kemi të kualifikuar me pikë në Lojërat Olimpike Evropiane të Bakusë tre çiklistë, që janë Eugert Zhupa, Iltian Nika dhe Redi Halilaj.”
“Dhe qëllimi i pjesëmarrjes në të gjitha këto aktivitete, apo dhe i bashkëpunimeve me Federatat homologe është kualifikimi i sportistëve tanë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, – ka përfunduar Anxhaku, i cili ka ardhur me një sërë projektesh nga Kongresi i Federatës Evropiane të Çiklizmit në Bratislavë.