AlbanianSport.com 01.10.2015 21:55
ASNN – Çiklisti kryeqytetas, por që garon për ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës, Ylber Sefa, ka fituar etapën e parë të Rrethit të 72-të Çiklistik të Shqipërisë, me itinerar Tiranë-Shkodër. Distancën prej afro 94 km ai e ka përshkuar me kohën 2 orë, 19 minuta e 44 sekonda. Besmir Banushi vazhdon të mbajë fanellën e verdhë të kryesuesit të renditjes së përgjithshme, ndërsa ky Rreth i 72-të vazhdon rrugëtimin e tij me stacionet Burrel, Durrës, Vlorë dhe Përmet, për të mbërritur në finishin e 6 tetorit në Fier.
Veprimtaria më e madhe e çiklizmit në vend, Rrethi i Shqipërisë, që këtë vit ka edicionin e tij të 72-të, ka nisur prej dy ditësh rrugëtimin e tij prej afro 700 kilometrash, që do të mbyllet më 6 tetor në Fier. Në Rrethin e 72-të Çiklistik të Shqipërisë marrin pjesë 40 çiklistë, të cilët përfaqësojnë 10 ekipe, të cilat janë Apolonia, Vllaznia, Teuta, Flamurtari, Burreli, Pogradeci, Tirana, skuadra përfaqësuese e Kosovës, ajo e Maqedonisë, si dhe ekipi i Novi Pazarit të Serbisë.
Ndërkohë që në prologun e kësaj gare, atë mini-etapë 12.6 km me kronometër, të zhvilluar të mërkurën në kryeqytet, ka triumfuar Besmir Banushi i Apolonisë, ndërsa në etapën e parë, atë me itinerar Tiranë-Shkodër, 94.3 km e gjatë, gara ka qenë më e ashpër. Në përfundim të saj, në finish ka mbërritur i pari çiklisti kryeqytetas, por që garon për ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës, Ylber Sefa, i cili distancën prej afro 94 km e ka përshkuar me kohën 2 orë, 19 minuta e 44 sekonda.
Vetëm një sekondë pas tij ka ardhur serbi Marko Stankoviç, i Novi Pazarit, i cili është edhe fituesi në fuqi i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, ndërsa i treti, në atë që ishte një finish i ngjeshur, ka mbërritur Stefan Petrovski i Apolonisë, dy sekonda pas të parit. Besmir Banushi vazhdon të mbajë fanellën e verdhë të kryesuesit të renditjes së përgjithshme, ndërsa Rrethi i 72-të Çiklistik i Shqipërisë vazhdon rrugëtimin e tij me stacionet Shkodër, Burrel, Durrës, Vlorë dhe Përmet, për të mbërritur në finishin e 6 tetorit në Fier.