AlbanianSport.com 08.04.2016 21:45
ASNN – Me pjesëmarrjen e 54 sportistëve që përfaqësonin 10 klubet më të mira në vend, është zhvilluar sot në periferi të Tiranës gara e dytë e këtij viti, që ka nderuar figurën e çiklizmit durrsak dhe atij shqiptar, Fejzi Povata. Në konkurrimin në 3 kategoritë e moshave, spikati gara e të rriturve.
Në të, Ylber Sefa ka triumfuar ndaj dyshes së Apolonisë, Besmir Banushi dhe Altin Sufa. Çiklizmi shqiptar ka qenë të premten në rrugë për herë të dytë këtë vit dhe, pas Kupës “26 marsi” në Kavajë, në kryeqytet është zhvilluar një veprimtari për të nderuar figurën e çiklizmit durrsak dhe atij shqiptar, Fejzi Povata.
Gjithçka është organizuar në periferi të kryeqytetit, duke nisur nga ora 10:00 dhe ka vazhduar deri pas mesdite. Dhe, sipas programit, kategoria e paratërinjve dhe të rinjve ka konsistuar një garë të përbërë nga 6 xhiro “cirkuit”, me një gjatësi të përgjithshme prej 75 kilometrash.
Kurse kategoria e Nën-23-vjeçarëve dhe ajo “Elitë”, ka patur një itenerar më të ndërlikuar, me një gjatësi prej 142 kilometrash. Në garën e të rriturve Ylber Sefa ka triumfuar ndaj dyshes së Apolonisë, Besmir Banushi dhe Altin Sufa, në një finish ku 3 çiklistët kanë qenë të shkëputur nga njëri-tjetri dhe nga grupi.
Për fituesin bardheblu, Sefën, kjo ishte një fitore taktike. Ndërkohë, në kategorinë e paratërinjve Vllaznia dominoi podiumin me Bruno Kolën dhe Kronajn, ndërsa vendin e dytë e mori Aliaj i Teutës. Ndërsa tek të rinjtë fitues u shpall Xhorxhio Seferi.