Gjergj Vyshka 22.06.2016 13:25
Federata Shqiptare e Çiklizmit ka nisur grumbullimin e kombëtares së Elitës dhe Nën-23-vjeçarët, e cila, nga data 1, deri më 3 korrik 2016, do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik, që do të zhvillohet në Elbasan. Madje është përcaktuar dhe itinerari i etapave, teksa ajo me kronometër do të zhvillohet në segmentin Elbasan-Pajovë e kthim.
Ajo do të jetë 36 kilometra e gjatë, kurse ajo e rrugës, e cila do të jetë e gjatë 175 kilometra, do të jetë Elbasan-Peqin-Elbasan-Gracen-Tuneli Elbasan-Tiranë-Peqin-Gracen-Elbasan. Kjo kombëtare, e cila do të drejtohet nga Luan Sallaku dhe Dashamir Rama, përbëhet nga Eugert Zhupa, Redi Halilaj, Iltian Nika, Rudian Kopshti, Besmir Banushi, Altin Sufaj, Shpat Karaj dhe Klindi Gremi.
Të gjithë janë grumbulluar që dje në Hotel “Imperial” në Elbasan, ndërsa kërkohet medalja në këtë Ballkaniadë. Por prova do të jetë Kampionati Kombëtar Individual që të premten e të shtunën do të zhvillohet në kryeqytet. Ndërkohë presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ka pasur një thirrje për dy skuadrat kryesore, Apoloninë e Tiranën.
“Të mos merren me mercenarë, por të nisin skuadrat me themel nga vendësit, – ka thënë kreu i FSHÇ-së. – Kemi bërë një rreth çiklistik perfekt dhe kjo ka marrë vlerësimet dhe të drejtuesve të Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës. Që do të thotë se do të bëjmë një Ballkaniadë shembull.” Kështu, kombëtarja Elitë dhe ajo e Nën-23-vjeçarëve tashmë do të jetë në përgatitje intensive në Elbasan.