Gjergj Vyshka 08.10.2016 13:25
Çiklizmi shqiptar është në prag të pjesëmarrjes në veprimtarinë e fundit ndërkombëtare për vitin 2016. Bëhet fjalë për Kampionatin Botëror të Të Rinjve, të moshës deri në 23 vjeç dhe të Elitës, që do të zhvillohet në Doha të Katarit.
Sipas informacionit që ka mbërritur nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, delegacioni shqiptar, është nisur dje dhe do të kryesohet nga presidenti Skënder Anxhaku. Trajnerë të skuadrës përfaqësuese do të jenë Françesko Frazi dhe Dashamir Rama.
Kurse në kategorinë e Elitës, në garën e kronometrit, do të garojnë Eugert Zhupa dhe Redi Halilaj. E për të rinj Klidi Jaku dhe Sabri Tafa. “Objektivi ynë është një paraqitje dinjitoze në këtë Botëror”, – ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj.