Gjergj Vyshka 25.05.2016 17:05
BITT 2016 “Tribut për Matin” nuk do të jetë vetëm në pingpong, por dhe në çiklizëm, një sport që është pjesë e kësaj veprimtarie për të katërtin vit radhazi. Dhe dje Federata Shqiptare e Çiklizmit, sipas lajmërimit të Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Alfred Tahiraj, ka njoftuar të gjitha klubet anëtare të saj për të marrë pjesë në këtë veprimtari të përvitshme.
Bëhet fjalë për Apoloninë, Flamurtarin, Burrelin, Tiranën, Elbasanin, Partizanin, Teutën, Pogradecin, Elbasanin, Skënderbeun dhe Vllazninë. Do të konkurrohet në të gjitha kategoritë e moshave duke nisur me paratërinj, të rinj dhe të rritur. Paratërinjtë dhe të rinjtë do të konkurrojnë të premten, duke nisur nga ora 11:00 në etapën Milot-Rrëshen-Burrelm e gjatë 62 kilometra.
Kurse të rriturit, duke nisur nga ora 10:30, do të garojnë në etapën Tiranë-Qafa e Kasharit-Rrëshen-Burrel, e gjatë 102 kilometra. Federata Shqiptare e Çiklizmit u ka kërkuar të gjitha klubeve që listat e federimit të paraqiten deri më 26 maj 2016, datë në të cilën duhet të mbërrijnë edhe skuadrat në Tiranë, sepse, po atë ditë, në ora 18:00, do të bëhet dhe mbledhja teknike me trajnerë, gjyqtarë dhe stafin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
Klasifikimi do të jetë individual, ndërsa tashmë BITT 2016 “Tribut për Matin” është gati për nisje pas tre ditësh.